Takimi me z. Kryeministër Hotin lidhur me sfidat e tregtisë me pakicë!

Kanë kalur tre javë nga masat e fundit të vendosura nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe është evidente që kufizimi i orarit të punës nuk ka ndikuar në renien e numrit të infektuarve në baza ditore! Kjo situatë po pamundëson operimin normal të bizneseve në këtë periudhë tejet sfiduese kur humbjet financiare janë të mëdha ndërsa siguria e qytetarëve dhe stafit në pika të shitjes është jetike. Prandaj, ne konsiderojmë thelbësore që të bëhet zgjatja e orarit të lejuar të punës sidomos marrë për bazë festat e fundvitit si dhe të bëhet unifikimi i orarit të punës për të gjitha komunat.
Sidoqoftë, ne sot u njoftuam tutje edhe mbi përkrahjen financiare bazuar në pakon e re mbështetëse, konkretisht të bazuar mbi Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, e cila do të jetë në vlerë prej 200-220 milion euro gjersa përfshihen edhe lehtësira të tjera të propozuara si të domosdoshme nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë qysh nga fillimi i kësaj gjendje e që është edhe zbritja e TVSH-së nga 18% në 8 % për sektorinë HoReCa. Këto mjete do të shpërndahen në tre mujorin e parë të vitit 2021, e që padyshim që kjo ndihmë do të ndikoj pozitivisht në ekonominë e vendit që të ruhen vendet e punës dhe të garantohet mbarëvajtja e veprimtarive ekonomike.