Takim me Kryeministrin z. Avdullah Hoti dhe zv. Kryeministrin z. Driton Selmanaj

Bordi i Drejtorëve të Rrjetit të Shitësve me Pakicë u prit sot në takim nga Kryeministri z. Avdullah Hoti dhe zv. Kryeministri Driton Selmanaj për të diskutuar lidhur me gjendjen ekonomike në vend dhe për kërkesat e sektorit të tregtisë me pakicë.
• Kryeministri shprehi gatishmërinë për trajtimin e shpejtë të çështjes së kallos, përmes, vendosjes së disa normave të lejueshme për humbjen, shkatërrimin, avullimin e produkteve të caktuara, gjatë prodhimit, magazinimit, mbajtjes në pika të shitjes ose gjatë transportit.
• Lidhur me çështjen e vendosjes së flamurit të vendit të origjinës për të gjitha produktet e cila po dëmton ndjeshëm bizneset, u diskutua lidhur me gjetjen e një modaliteti i cili do largonte këtë pengesë ndërsa prodhimet vendore do të merrnin mbështetje me të fuqishme.
• Bazuar në praktikat me të mira të rajonit dhe legjislacionin e vendeve të Bashkimit Evropian u diskutua edhe nevoja vendosjes së çmimeve për njësi të qeseve të plastikës marrë për bazë ndikimin e tyre mjedisor.
• Kryeministri shprehi gatishmërinë e plotë për inkuadrimin e Rrjetit të Shitësve me Pakicë në Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime (KKEI) dhe gjithashtu ftoi përfaqësues nga organizata që të marrin pjesë në takimin e radhës.
Rrjeti i Shitësve me Pakicë përgëzoi Kryeministrin dhe zv. Kryeministrin për punën e bërë në drejtim të hartimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ndërsa mirëpriti vendimin për ndarjen e 60 milionëve shtesë për linja të pagave të bizneseve.