Sot, datë 12 mars 2020, Rrjeti i Shitësve me Pakicë mori pjesë në dëgjimin publik lidhur me projekt-rregulloren për caktimin e orarit të punës për biznese në Komunën e Pejës.

Projekt-rregullorja parasheh ndalimin e veprimtarive afariste për dyqanet që janë rrjet i më tepër se një (1) dyqani ditëve të diela dhe festave zyrtare.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë ripërsëriti qëndrimin se një politikë e tillë do të kishte implikime të dëmshme në ekonominë e vendit duke rezultuar në shkurtim të vendeve të punës, qarkullim më të ultë në vlera monetare si dhe në rritje të informalitetit.

Poashtu, u theksua se një vendim i tillë përbën kufizim të konkurrencës së lirë dhe ndërhyrje në ekonominë e tregut, të garantuara me dispozita ligjore dhe kushtetuese.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë cilëson se dëgjime të tilla publike të cilat kanë për qëllim vetëm përmbushjen e obligimeve procedurale të Komunave, e nuk marrin fare parasysh nevojat dhe kërkesat e bizneseve, paraqesin shqetësim se vendime të tilla populiste të pabazuara në hulumtime dhe matje të tregut janë në dëm të qëndrueshmërisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Andaj, bëjmë thirje Asambleistëve të Kuvendit Komunal të Pejës që të mos vendosin interesat personale dhe partiake para mirëqënies së qytetareve dhe nevojës për qëndrueshmëri e zhvillim të përshpejtuar ekonomik.