Rrjeti i Shitësve me Pakicë pjesë e “LOG me Dren Gërgurin”

Rrjeti i Shitësve me Pakicë ishte pjesë e emisionit “Log me Dren Gërgurin” ku u fol për vështirësitë që kanë hasur bizneset gjatë kohës së pandemisë.

Drejtoresha e RRSHP, Yllka Metaj-Shaqiri, ka thënë se “Për një ringritje nuk mund të themi që nuk ka pasur, skenarët e njëjtë vetëm janë duke u përsëritur, prandaj nuk mund të presim ndonjë ringritje. Secila mbyllje e afekton rrjedhën e parasë, numrin e të punësuarve. Një dëmtim më i madh ka qenë tash mbyllja e fundit, ku shumë qytetarë janë larguar për vikend. Nëse një familje ka pas një shpenzim afro 300 euro jashtë vendit, kjo ka pas efekte zinxhirore në ekonominë e vendit tonë, e më së shumti tek bizneset”

Metaj-Shaqiri ka folur edhe për pakot ndihmëse të qeverisë, të cilat, sipas saj, janë ekzekutuar vonë.

“Qeveria ka qenë bashkëpunuese me rrjetin tonë, i kanë respektuar argumentet tona, edhe pse nuk i kanë ndërmarrë të gjitha ato që i kanë premtuar, ka qenë vazhdimisht pjesë e takimeve. Sa i përket pakove ndihmëse, kanë qenë të ngadalshme, procedurat duhet të kalojnë më shpejtë, ne mundemi t’i vlerësojmë si pako emergjente por ekzekutimi i tyre ka zgjatë me muaj. Në fillim bizneset kanë pas rezervat e tyre, mirëpo tash pas një viti nuk i kanë. Tash bizneset kanë detyrime ndaj sistemeve bankare dhe shteti nuk është marrë me këtë pjesë” ka shtuar Metaj-Shaqiri.

Ajo ka folur edhe për ndikimin që ka pasur diaspora në biznes gjatë kësaj periudhe.

“Gjatë muajit nëntor kur kanë qenë të mbyllura edhe vendet e mëdha si Gjermania e Zvicra, vizita e diasporës në Kosovë ka shënuar rritje të të ardhurave për bizneset, mirëpo si konsum ka pas rënie sepse janë bler vetëm artikujt elementar. Edhe krahas ndihmës së diasporës, prapë nuk mundemi t’i krahasojmë me fitimet e vitit 2019 mirëpo për një kohë krize si kjo ka qene ndihmës e mire” ka thënë ndër të tjera Metaj-Shaqiri.

Metaj-Shaqiri ka pasur edhe një thirrje për institucionet qeverisëse, që fokusi i tyre të jetë mbi sigurimin e vaksinave pasi një gjë e tillë është e nevojshme edhe për bizneset.