Rrjeti i Shitësve me Pakicë paralajmërojnë protestë

7 Nëntor 2020 – Rrjeti i Shitësve me Pakicë, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me vendimin e fundit të dal nga Qeveria e Kosovës lidhur me mbylljen dhe ndërprerjen e aktivitetit të thuajse të gjithë bizneseve në Kosovë.
“Shqetësimi jonë kryesor qëndron në mbylljen e rrjeteve të marketeve dhe dyqaneve të shitjes me pakicë” – u shpreh drejtoresha e kësaj Shoqate znj. Yllka Metaj Shaqiri. Ajo tutje shtoj që “jemi dëshmitarë që furnizimi ushqimor është esencial në këtë situatë pandemike. Pra, marketet dhe dyqanet pa dallime të vogla apo të mëdha duhet të vazhdojnë aktivitetin e tyre çdo herë duke i respektuar masat për parandalimin e përhapjes të pandemisë COVID-19”.
Në të njëjtën kohë, kërkesa e kësaj Shoqate drejtuar Qeverisë dhe Institucioneve relevante është të ketë koordinim dhe mbështetje financiare mbi masat dhe veprimet e ndërmara meqë çasja e tillë ad hoc pa asnjë koordinim dhe njoftim paraprak vetëm për këto 2 ditë ka krijuar humbje milionëshe në sektorin e tregtisë me pakicë. Duke shtuar këtu edhe gjobat të cilat po shqiptohen pa asnjë kriter sepse nga vakumi që është krijuar sidomos në vendimet e fundit edhe inspektorët në teren kanë krijuar interpretime të ndryshme (fjala është për mos definimin e termit market i vogël) të cilat po dëmtojnë edhe më shumë bizneset.
Duhet të theksojmë që nesë vazhdohet vendimarrja në këtë mënyrë atëherë nuk mbetet rrugë tjetër përveq shfaqjes së paknaqësive përmes PROTESTAVE dhe mos dëgjueshmërisë ndaj vendimeve të tilla.
Në përfundim, Rrjeti i Shitësve me Pakicë i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës të jenë bashkëpunues para se të marrin vendime të cilat direkt prekin sektorin privat dhe para çdo vendimi të komunikohet mbështetja financiare në mënyrë që të mos shpërndahet panik tek bizneset dhe qytetarët në përgjithësi.