“Rrjeti i Shitësve me Pakicë” demanton lajmin për rritjen e çmimeve

“Rrjeti i Shitësve me Pakicë”, me anëtarët: ETC, VivaFresh, Super Viva, Meridian Express, Albi Shopping, Maxi, Interex, ka reaguar pas deklarimeve nga organizata ‘Konsumatori’, në lidhje me rritjen e çmimeve për festen e Fitër Bajramit në markete.

Sipas ‘Rrjetit të Shitësve ne Pakice’, drejtori i organizatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku, ka shprehur opinionin e tij pa përkrahjen e fakteve dhe duke ju referuar “marketeve” në përgjithësi.

Ndërkaq kanë paralajmëruar masa, duke thënë se deklarata të tilla  njollosin reputacionin e kompanive në fjalë.

“Rrjeti i Shitësve me Pakicë”, do të marrë masa për një deklaratë të tillë të trilluar e cila njollos reputacionin e kompanive të lartpërmendura dhe krijon mosbesim tek konsumatoret tanë. Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë fakte publikut në bazë të verifikimeve të bëra nga inspektoret që një situatë e tillë nuk është prezent në marketet tona”, ka thënë  Mrika Selimaj, Drejtoreshë Ekzekutive, Rrjetit të Shitësve ne Pakicë.

Reagimi erdhi, pasi, Kaçaniku ka deklaruar se “me rastin e çdo feste, shumica e çmimeve ngritën ani pse në pjesën më të madhe të botës për festa ulen çmimet për ta respektuar qytetarin konsumator.”

“Mes çmimesh realisht të ulura, numri i të cilave në disa markete është në rritje, ka edhe shumë çmime të ulura rrejshëm, që e ‘detyrojnë’ konsumatorin të blej edhe artikuj me çmime më të larta se zakonisht”, pati thënë Kaçaniku.