15 Qershor 2020 – Komunikatë për media: Bizneset po rrezikohen nga vonesat në zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale

15 qershor 2020 – Procedurat e tejzgjatura dhe vonesat në disbursimin e mjeteve nga PakoEmergjente Fiskale për biznese po rrezikojnë stabilitetin financiar dhe pamundësojnë rimëkëmbjen e kompanive të prekura nga COVID 19.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë shpreh shqetësime lidhur me zbatimin e ngadalshëm të masave nga Pako Emergjente Fiskale që ndërlidhen me mbulimin e pagave të punonjësve dhe qirave për objekte. Rrjeti cilëson se këto ndihma të parapara përmes kësaj Pako janë esenciale për të punësuarit dhe bizneset andaj, vonesat në disbursimin e mjetëve po kanë efekte negative dhe po e bëjnë situatën të pamenaxhueshme.

Mbështetja ndaj punonjësve në sektore ku është ndërprerë aktiviteti si rezultat i masave kufizuese të ndërmarra, shtesat ndaj kolegëve në pika të shitjes të cilat janë ekspozuar ndaj virusit në baza ditore, dhe mbulimi i një pjese të qirave si lehtësim për biznese, janë të domosdoshme për garantimin e mirëqenies së qytetarëve dhe mbarëvajtjen ekonomike.

Vonesat në disbursimin e këtyre mjeteve po minimizojnë efektin e Pakos në ekonomi gjërsa rrisin mosbesueshmërinë në institucione dhe pakënaqësinë e punonjësve.

Në këtë mënyrë, Rrjeti i Shitësve me Pakicë duke ripërseritur nevojën e veprimit të shpejtë kërkon që institucionet përgjegjëse të intensifikojnë veprimet për zbatimin e plotë të Pakos Emergjente Fiskale në mënyrë që të mbështeten bizneset të cilat janë prekur nga COVID 19 dhe punonjësit e tyre, si dhe ti hapet rrugë rimëkëmbjes ekonomike.